Një i ri i cili shpërndante drogë në Tiranë, është vënë në prangat e policisë në kuadër të operacionit të koduar “Rrugica”.
Efektivët e komisariatit Nr. 6, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se në rrugën “Bakalli”, një person shiste doza kokaine, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Rrugica”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi J. Sh., 28 vjeç, banues në Tiranë.

Në rrugën “Bakalli”, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë për kapjen e shtetasit J. Sh., i cili sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka shpërbërë një dozë lënde të dyshuar narkotike kokainë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 28-vjeçarit dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e policisë kanë gjetur doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë dhe rreth 800 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa, që dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen.
Aktualisht vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.



