
Policia e Durrësit ka vënë në pranga një person, nën akuzën e tregtimit të farave të bimës narkotike kanabis sativa. Sipas policisë, shtetasi me iniciale S. P., 37 vjeç, banues në Kavajë ka qenë i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ai lëvizte si pasagjer me taksi për të humbur gjurmët, por është identifikuar nga seksioni i Narkotikëve dhe Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
“Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara se në një mjet taksi po udhëtonte si pasagjer shtetasi S. P., i cili kishte një sasi të konsiderueshme fara të bimës narkotike cannabis sativa me qëllim për ti tregtuar në Durrës, në vendin e quajtur “Rrotondo e Plepave”, kanë ndaluar mjetin në të cilin ndodhej ky shtetas” njoftoi policia.
Policia gjatë kontrollit fizik të shtetasit ka gjetur dhe sekuestruar rreth 2 kilogramë fara të bimës narkotike cannabis sativa në dy kuti kartoni, ndërsa vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.



