
Policia e Kurbinit ka arrestuar një 24-vjeçar të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar.
Sipas uniformave blu është prangosur Ermando Cima, banues në fshatin Zhejë, Kurbin, të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Vjedhja më shumë se njëherë, duke sjellë pasoja të rënda”.
I riu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Luksemburgut i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja, më shumë së një herë, duke sjellë pasoja të rënda”, kryer në bashkëpunim.
Gjatë kontrollit në automjet tip “Benz” , 24-vjeçariut iu gjet nga efektivët një armë zjarri automatik me 2 krehra, një pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.
Sakaq, policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti, pasi nga informacionet e marra në rrugë operative dyshohet se ky shtetas mund të kryente vepër penale në fushën e krimeve të vjedhjes me armë.



