
Një tjetër efektiv policie është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Tiranë. Këtë të hënë në pranga ka përfunduar Fatmir Balaj, me detyrë kryekomisar në Policinë Shkencore.
Ndaj 49-vjeçarit ishte vendosur nga gjykata e Korçës masa e sigurisë arrest me burg pasi dyshohet se ka fshehur, tjetërsuar dhe zëvendësuar pajisje kompjuterike të cilat do të shërbenin si provë kryesore shkencore në një çështje që kishte të bënte me call centerat.
Prokuroria kishte nën hetim një pikë call centeri që funksiononte përmes platformës Forex duke mashtruar qytetarë të huaj.
Organi i akuzës i kishte dërguar një USB efektivit Balaj për ekspertim, pasi dyshohet se brenda kishte materiale për pagesat dhe prova të tjera të aktivitetit të mashtrimit.
Kryekomisari dyshohet se përmes parave të marra nga subjekti privat ka zëvendësuar USB duke dorëzuar një tjetër pa të dhëna.



