Babë e bir janë arrestuar në fshatin Mborje të Korçës, pasi janë kapur duke prerë dhe transportuar dru pa leje. Policia njofton se A.D., 60 vjeç dhe A.D., 23 vjeç, kanë rrahur edhe inspektorët e mjedisit që po zbatonin detyrën.
NJOFTIMI I POLICISË:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: A. D., 60 vjeç dhe A. D., 23 vjeç, banues në fshatin Mborje, Korçë.
Arrestimi i tyre u bë pasi, shtetasit e mësipërm janë konstatuar në fshatin Mborje, duke transportuar lëndë drusore pa leje, si edhe kanë kundërshtuar me dhunë gjatë ushtrimit të detyrës punonjësit e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Mjedisit dhe Pyjeve.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”.



