Gazetari Armand Bajrami, foli në emisionin “Fact Check” në lidhje aferën e inceneratorit të Tiranës, pasi Apeli rikualifikoi akuzat si grup i strukturuar kriminal.

Sipas gazetarit nga deklaratat e Dumanit lihet të kuptohet se kemi të bëjmë me një shprehje të gabuar nga ana e Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Bajarmi shprehet se do na duhet të presim nëse SPAK ta kundërshtojë në Gjykatën e Lartë këtë moment procedurial, apo do lihet në përfundim të hetimit.
"Shpërdorimi i detyrës në rastin në fjalë thuhej se ishte bërë në formën e grupit të strukturuar kriminal. Z.Simixhiu jo vetëm s’iu lehtësua masa e sigurisë por edhe iu ashpërsua duke u rikthyer në qelitë e paraburgimit. Që me komunikimin zyrtar që bëri Gjykata e Posaçme e Apelit, citohej fakti që ndryshonte vendimmarrja e mëparshme, kthehej z.Simixhiu në qelitë e paraburgimit, por shpërdorimi i detyrës thuhej që ishte bërë në formën e grupit të strukturuar kriminal. Një akuzë që nuk ishte deri në këto momente nga SPAK. Në momentin e parë mendova mos ishte një gabim material në dispozitivin e gjykatës, por më pas konfirmuam faktin që ishte e vërtetë. Gjykata e Posaçme Apelit kishte bërë këtë rikualifikim të akuzës. Me sa kuptova z.Dumani kishim të bënim me një moment të gabuar, apo shprehje të gabuar nga ana e Gjykatës së Posaçme të Apelit. Do na duhet të presim nëse do jetë SPAK ta kundërshtojë në Gjykatën e Lartë këtë moment procedurial, apo do lihet në përfundim të hetimit, në seancën paraprake të bëhet një rikualifikim i akuzave qoftë nga ana e SPAK, dhe do t’i lihet gjyqtarit paraprak”.
Sa i takon evidentimit nga SPAK të faktit që janë pastruar 20 milionë euro, Bajrami vë në dukje se nuk është një shifër e vogël, në raport me totalin 128 milionë euro, të kontratës koncesionare.



