
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë finalizuar veprimet hetimore për zbardhjen e disa vjedhjeve të ndodhura në qytet, duke bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e një të mituri 14-vjeçar.
Sipas burimeve zyrtare, ky shtetas dyshohet se më datë 08.04.2026, në oborrin e Spitalit Rajonal Shkodër, i ka vjedhur shtetasit E. Dh., 45 vjeç, banues në Tiranë, çantën e dorës ku ndodhej një shumë parash.
Gjithashtu, nga hetimet rezulton se më datë 13.03.2026, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, i njëjti shtetas dyshohet se i ka vjedhur shtetases M. T., 45 vjeçe, banuese në Shkodër, çantën e dorës me para.
Gjatë kontrollit dhe veprimeve hetimore, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 600 euro, si dhe një monopatinë me të cilën dyshohet se lëvizte i mituri, e cila dyshohet të jetë blerë me të ardhura të përfituara nga vjedhjet.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.



