
Një operacion i policisë së Mirditës i koduar “Domgjoni” ka goditur një rast të i kultivimit të bimëve narkotike dhe një rast i mbajtjes së lëndëve shpërthyese.
Bazuar në informacione policore të administruara në rrugë operative për një person që kishte kultivuar bimë narkotike në afërsi të banesës së tij, si dhe mbante lëndë plasëse shpërthyese, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë u bë organizimi i operacionit.
Si rezultat i tij, u bë arrestimi në flagrancë i Dod Lalaj, banues në fshatin Domgjon, Mirditë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”.
Arrestimi i Lalaj, u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në tokën në pronësi të tij, në afërsi të banesës, janë gjetur të kultivuara bimë të dyshuara narkotike kanabis.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient tjetër në afërsi të banesës, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 4 kallëpe me lëndë të dyshuar plasëse.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.



