
Dy vajzat 16-vjeçare të cilat për katër ditë qëndruan në “arrati”, kanë deklaruar në Policinë e Tiranës arsyen pse morën një vendim të tillë. Minorenet nga Tirana, u gjetën paraditen e djeshme në një hotel në qytetin e Përmetit. Sipas tyre, ato u larguan nga banesa pasi prindërit ziheshin shpesh me njëri-tjetrin dhe veprimi i tyre duhet të shërbente si një mësim për ta.
Po ashtu, dy të miturat kanë treguar edhe itinerarin e udhëtimit të tyre katër ditor. “Familjet tona grinden shpesh, disa herë na bërtisnin edhe neve. U zunë edhe natën e Vitit të Ri. Nga shtëpia kemi ikur me dëshirë. Donim t’u jepnim një mësim familjeve. Me vete kishim 400 mijë lekë të vjetra, janë kursime që i kemi mbledhur ne vetë. Deri në Përmet shkuam me makina dhe furgona të rastit. E njohim mirë atë zonë sepse është vendlindja e gjyshërve, kemi shkuar disa herë më parë për pushime. Kemi fjetur në disa hotele, na mbaruan lekët dhe kishim vendosur të ktheheshim dhe t’i tregonim policisë”, kanë thënë vajzat para policisë.
Dy vajzat u gjetën pas telefonatës së pronarit të hotelit, ku vajzat kishin shkuar mëngjesin e djeshëm. Ai ka thënë se në biznesin e tij kanë shkuar dy vajza që nuk ishin të shoqëruar nga familjarët. Dy vajzat u morën në pyetje në praninë e një psikologu dhe pasi janë takuar me familjarët në Tiranë policia i dërgoi në një qendër sociale pasi janë shprehur se kanë frikë të rrinë në shtëpitë e tyre.



