Dy trupa janë gjetur pas një shpërthimi që rrafshoi një ndërtesë katër-katëshe në qytetin jugor francez të Marsejës, raporton BBC.
Autoritetet lokale thanë se gjashtë persona mbeten ende të pagjetur dhe se përpjekjet e shpëtimit po vazhdojnë.
Që prej ditës së djeshme, kërkimet nisën, pasi pesë persona mbetën të plagosur dhe tetë të tjerë të humbur, kur shpërthimi e rrafshoi ndërtesën.
Shkaku ende nuk dihet dhe po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave, por gjeneza ishte mesnatën mes të shtunës dhe të dielës.
Pothuajse 200 njerëz u evakuuan nga ndërtesat aty pranë.
Më shumë se 100 zjarrfikës u dërguan për të shuar flakët që pasuan shpërthimin. Zjarri mbeti aktiv gjatë pjesës më të madhe të së dielës dhe autoritetet paralajmëruan se ai mund të vazhdojë për orë të tëra, edhe pse të dielën në mbrëmje erdhën shenjat e para të shuarjes.
Zjarri pengoi kërkimin për të zhdukurit, për të cilët prokurorët e qytetit thanë se përfshinin një çift të rinjsh dhe disa persona të moshuar.
Nxehtësia dhe pluhuri i fortë i kanë penguar qentë e kërkimit të kalojnë nëpër rrënoja.
Benoit Payan, kryetari i bashkisë së qytetit tha se “ne duhet të jemi të përgatitur për të pasur viktima”, dhe ministri i Brendshëm Gerald Darmanin, i cili udhëtoi për në qytet të dielën, u tha mediave se nuk e dinte nëse të zhdukurit ishin gjallë apo të vdekur.
Prokurori lokal Dominique Laurens konfirmoi për një gazetë vendore se tetë persona “nuk po u përgjigjeshin thirrjeve telefonike”, duke shtuar se deri më tani ishte e pamundur të identifikohej shkaku i shembjes.
Megjithatë, autoritetet kanë thënë se ka të ngjarë që të ketë qenë një rrjedhje gazi.



