
Policia e kryeqytetit ka zbardhur ngjarjen e rëndë ku një djalë ka masakruar me çekiç të atin dhe më pas, trupin ia ka hedhur në liqen.
Në prangat e bluve të Tiranës është vënë autori i ngjarjes i cili është Selman Alija, 28 vjeç, banues në Shkozë.
"Arrestimi i tij u bë për arsye se, me date 22.12.2017, rreth orës 20:00, në Shkozë, Tiranë, brenda ambienteve te oborrit rrethues të baneses së tyre, pas një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se shtetasi Selman Alija, ka goditur me sende te forta (një çekiç) disa herë në pjesën e kokës, babain e tij shtetasin F. A., 74 vjeç, banues në Shkozë Tiranë, i cili, si pasojë e këtyre goditjeve ka gjetur dhe vdekjen e menjehershme", thuhet në njoftimin e policisë.
Nga veprimet hetimore të kryera për këtë rast ka rezultuar se shtetasi Selman Alija pasi ka kryer veprimet e sipercituara, ka ngarkuar trupin e pajetë të babait të tij F. A., në automjetin Volksvagen, dhe e ka hedhur trupin e viktimës në liqenin e Farkës.
Nga ana e shërbimeve të Policisë, është bërë e mundur gjetja e kufomës dhe transportimi pranë ambienteve të Insitutit të Mjeksisë Ligjore, për kryerje të veprimeve të mëtejshme.
Policia thotë se është mundësuar gjetja dhe sekuestrimi i mjetit tip “cekiç”, me të cilin dyshohet se është kryer kjo veper penale.
Materialet hetimore në ngarkim të shtetasit Selman Alija, i`u referuan Prokurorise për Krimet e Rënda Tiranë, për vepren penale “Vrasje për shkak te rrethanave familjare”parashikuar nga neni 79/C Kodit Penal.



