Një 38-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë në kryeqytet pasi qarkullonte me armë zjarri me vete.
Shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja", në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në bulevardin "Migjeni", një shtetas po qarkullonte me armë zjarri në automjet, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Bulevardi".
Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Albert Prendi, 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".
Gjatë kontrollit në automjetin që po drejtonte ky shtetas, në bulevardin "Migjeni", shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri pistoleta, 2 krehra dhe municion luftarak.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.



