
Pas konfliktit të djeshëm pranë shkollës “Andon Zako Çajupi”, janë pezulluar nga detyra dy mësueset e përfshira në konflikt, ku mbetën të lënduar katër persona.
NJOFTIM PËR MEDIA
Pezullohen nga detyra dy mësueset e përfshira në konfliktin e ditës së djeshme pranë shkollës “Andon Zako Cajupi”.
Menjëherë pasi ka konfirmuar zyrtarisht nga organet kompetente përfshirjen e dy mësueseve të shkollës së mesme “Andon Zako Cajupi” në ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme jashtë ambienteve të shkollës, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë ka kërkuar nga Institucioni Arsimor mbledhjen urgjente të komisionit të etikës për vlerësimin e rastit në fjalë.
Në njoftimin e saj publik Zyra Arsimore thekson se:
"Dëshirojmë të garantojmë opinionin publik dhe prindërit e nxënësve në veçanti se për çdo punonjës arsimor i cili përfshihet në ngjarje që cenojnë integritetin e profesionit, apo figurën e lartë të mësuesit, institucionet tona do të veprojnë pa asnjë tolerim, duke u mbështetur në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi".
Policia sqaroi se sherri mes E. Q., 46 vjeçe dhe D. T., 53 vjeçe, nisi verbalisht për një tavolinë në lokalin para shkollës.
Më pas, u përfshinë në konflikt duke përdorur sende të forta, të afërmit përkatës të tyre.
Si pasojë e konfliktit, një nga të afërmit e 53-vjeçares ka përfunduar në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Për këtë ngjarje, një ra në pranga, u proceduan penalisht 5 persona, ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër.



