Komisariati i Policisë Krujë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të veprimeve për goditjen e trafikut të drogës, finalizoi operacionin policor të koduar “Transporter”.
Si rezultat i operacionit u arrestua shtetasi kosovar L. Ç., 43 vjeç, banues në Kosovë.
Në vendin e quajtur “Ura e Stafukës”, fshati Larushk, policia ndaloi automjetin tip “Skoda” që drejtohej nga i arrestuari. Gjatë kontrollit, në brendësi të tij u gjetën dhe u sekuestruan disa pako që përmbanin 23 kg e 65 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila dyshohet se do të trafikohej drejt Kosovës.
Lënda narkotike dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



