Një 28-vjeçar është plagosur mbrëmjen e sotme në Shkodër, ndërsa fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 22:00, në lagjen “Perash”, në rrethana ende të paqarta.
“Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit për të shtëna me armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, është rrethuar zona, janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e territorit për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, njofton policia.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për fiksimin e çdo prove të mundshme, që do ti shërbejë hetimit për zbardhjen e ngjarjes.
Ndërkohë, burimet bëjnë të ditur se i plagosuri është Edis Reçaj, banues në Dobraç. 28 vjeçari është paraqitur në Spitalin e Shkodrës i plagosur dhe bluzat e bardha kanë njoftuar policinë. Reçaj ka marrë një plumb në gjurin e djathtë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet paraprake, në polici mësohet se është shoqëruar nje person.

(Në foto: Edis Reçaj, i plagosur)



