Autori i vrasjes së një 50-vjeçari shqiptar, ngjarje e ndodhur mesditën e së enjtes, është identifikuar nga Policia e Selanikut. Krimi i rëndë ndodhi pranë një karburanti, ndërsa efektivët grekë e kanë identifikuar autorin nga targat e makinës me të cilën u arratis menjëherë pasi vrau 50-vjeçarin. Identiteti i tij nuk është bërë ende publik, ndërsa dyshohet se është me shtetësi shqiptare. Mediat greke shkruajnë se ii dyshuari është person me precedent penal dhe i njohur për autoritetet greke për kryerjen e disa veprave penale. Krimi i rëndë ndodhi rreth orës 13:00 pranë një pike karburanti në Selanik. Viktima dhe autori kanë qenë më herët së bashku në një lokal pranë zonës ku ndodhi krimi. Mes tyre nisi një përleshje. Arsyet e sherrit nuk dihen, por autoritetet greke dyshojnë se mund të lidhet me probleme financiare. Pas konfrontimit në lokal, të dy u larguan me makinat e tyre. Më pas u gjendën në të njëjtën pikë karburanti në rrugën Solonos të Selanikut. 50-vjeçari shqiptar ndodhej në karburant për të furnizuar makinën. Ndërsa paralelisht në rrugën kryesore kishte ndaluar makina e autorit, tip “Peugeot” ngjyrë e zezë. Kamerat e sigurisë kanë filmuar të gjithë krimin. Viktima shihet te dritarja e makinës së autorit dhe godet me zinxhir personin që ndodhet brenda mjetit. Por në këtë moment ai qëllohet me pistoletë nga brenda makinës dhe bie në tokë. Ndërsa vrasësi largohet me shpejtësi me makinë nga vendngjarja.



