
Gjykata e Shkodrës ka lënë në burg shtetasin Hydajet Mehmetaj, i dyshuar për vrasjen e Ridvan Ramazanit. Në seancën e zhvilluar këtë të martë, Mehmetaj ka kërkuar nëpërmjet avokatit të tij një masë më të butë sigurie. I akuzuari është shprehur se nuk ka marrë pjesë në vrasjen e Ridvan Ramazanit, ndërsa ka qenë vetëm në drejtim të mjetit të autorëve të dyshuar.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e 28 nëntorit, ku 46-vjeçari u qëllua me breshëri kallashnikovi teksa udhëtonte me makinën e tij tip “BMVV”. Pas vrasjes, Policia njoftoi arrestimin e tre autorëve të dyshuar të vrasjes, ndërsa shkak për ngjarjen dyshohet të jetë bërë një konflikt mes tyre. Hydajet Mehmetaj u arrestua pak ditë më parë, ndërsa nuk ka pranuar akuzën e ngritur nga Prokuroria e Shkodrës.



