Rreth 4,5 ton është sasia e kokainës së sekuestruar në ishujt Kanare, 173 milje larg Santa Crouz. Lënda narkotike transportohej me anije ndërsa kishte si destinacion Europën. Në pranga janë vënë në total 15 persona, mes të cilëve edhe dy shtetas shqiptarë.
Mediat spanjolle raportojnë se lënda narkotike ishte ngarkuar në anijen që ishte nisur nga Brazili për në Letoni, por sipas mediave greke, ngarkesa mund të ndërronte destinacion dhe të hynte në Mesdhe.
Anija në fjalë ishte rreth 100 metra e gjatë dhe mbante flamurin e shtetit afrikan të Togos. Paraprakisht, thuhet se ajo që ngriti dyshimet e autoriteteve ishte fakti se ekuipazhi kishte deklaruar se transportonte 200 ton kafe, një sasi shumë më e vogël nga kapaciteti i anijes.
Operacioni u kodua “Blume” dhe është në vijimësi të disa operacioneve të tjera të autoriteteve spanjolle me qëllim goditjen e të ashtuquajturës “rruga Atlantike” e kokainës. Kjo rrugë njihet për transportin e lëndës narkotike me anë të anijeve tregtare apo të peshkimit, nga Amerika Jugore nëpërmjet Atlantikut e që destinacion kanë kontinentin Europian.



