
Ditën e djeshme rreth orës 12:30, 63-vjeçari Mhill Përpepaj, që po punonte në ndërtimin e një pallati te "Fusha e Aviacionit" në Tiranë ra tragjikisht nga lartësia dhe humbi jetën.
Ditën e sotme policia bën me dije se ka arrestuar inxhinierin B.Ç, 42 vjeç dhe K.K, 26 vjeç, ndihmësinxhinier për zbatimin e rregullave të sigurimit teknik, të dy banues në Tiranë.
Ata akuzohen se nuk kanë zbatuar rregullat e sigurimit teknik, që ka sjellë edhe vdekjen e 63-vjeçarit Mhill Përpepaj.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale "Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë".
Njoftimi i Policisë:
Vihen në pranga për shkelje të rregullave në punë, inxhinieri i firmës ndërtuese dhe inxhinieri për zbatimin e rregullave të sigurimit teknik të një pallati në ndërtim, ku ditën e djeshme humbi jetën një 63-vjeçar, gjatë kohës që po punonte në këtë objekt.
Shërbimet e Komisariatit Nr. 2 dhe grupi hetimor, menjëherë pas njoftimit të marrë se një shtetas kishte rënë aksidentalisht nga lartësia e një pallati dhe për pasojë humbi jetën, menjëherë kanë kryer gjithë veprimet hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë dhe në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit arrestuan në flagrancë shtetasit:
B. Ç., 42 vjeç, banues në Tiranë, inxhinieri i firmës dhe K. K., 26 vjeç, banues në Tiranë, ndihmësinxhinier për zbatimin e rregullave të sigurimit teknik.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi më datë 07.05.2020, rreth orës 12:30, ka rënë nga lartësia e pallatit në ndërtim dhe si pasojë ka humbur jetën punëtori i këtij objekti, shtetasi M. P., 63 vjeç.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale "Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë".



