Tre persona kanë përfunduar në prangat e policisë së Durrësit pasi janë kapur duke shitur mina me telekomandë deri 3 mijë euro copa.
Arrestimi i tyre erdhi si rezultat i operacionit policor të koduar "Muzeu" ku në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa persona me tendencë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së minave me telekomande po tentonin të shisnin disa mina me telekomandë.
Në kuadër të këtij operacioni, në vendin e quajtur "Muzeu", në lagjen nr. 9 në Durrës, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Ilir Aliu, 47 vjeç, Bledar Çakëli 31 vjeç dhe Edmond Bardhi, 37 vjeç, të tre lindur në Dibër dhe banues në Sukth, Durrës.
Këta persona u kapën duke udhëtuar me një automjet tip “Volvo” me drejtues shtetasin I. A. dhe pasagjerë shtetasit B. Ç. dhe E. B.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet nga shërbimet e Policisë u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale tri mina të montuara dhe të lidhura me telefon.
Nga hetimet paraprake rezultoi se këta trafikantë do të shisnin disa mina me telekomandë në qytetin e Durrësit, kundrejt shumës 2500-3000 euro copa.



