Klodiana Lala në Të Paekspozuarit ka komentuar lidhur me fatin e Ervis Martinaj për të cilin deklaroi se ai ishte mbreti i një biznesi që qarkullon miliona e miliarda euro, siç janë bastet. Ajo tha se Martinaj ishte një mendje gjeniale në botën e krimit, por duke parë shqetësimin e familjarëve dhe llogaritë e tij bankare që s’kanë lëvizur ka dyshime të forta se ai mund të jetë rrëmbyer dhe vrarë.
Çfarë përgjigje mund të japim kur vetë shteti nuk e di. Vis Martinaj nuk ishte personazh dosido i botës së krimit. Ai ishte një personazh shumë kompleks, i shkolluar, ai nuk vinte nga bota e krimit, ai nuk nis nga rruga, erdhi nga auditorët e universitetit. Martinaj ishte mbreti i një biznesi që qarkullon miliona e miliarda euro, bastet. Vis Martinaj ishte një njeri me potencial të jashtëzakonshëm financiar. E dyta ishte një njeri që kishte lidhje të forta politike, ai si personazh nisi të goditej kur nisi operacioni ‘fundi i marrëzisë’, aty filloi përplasja e tij me segmente të caktuara dhe aty pati dhe përplasjet e para me botën e krimit. Përplasja e tij e parë ishte ajo me Elvis Doçin si një tjetër i përfshirë në lojërat e fatit dhe nga ai momenti Martinaj mund të konsiderohej si një peshk i madh i krimit të organizuar.
Vis Martinaj ishte në shoqërinë e një zyrtari policie 3 ditë para se të zhdukej. Ai ishte një mendje gjeniale në botën e krimit por duke parë shqetësimin e familjarëve, duke parë që llogaritë e tij bankare s’kanë lëvizur asgjë, duke parë se sa komod janë kundërshtarët e tij të shumtë dhe duke parë se çfarë po ndodh në botën e krimit aktualisht kam dyshime të forta se ai mund të jetë rrëmbyer dhe vrarë. Ai ishte një personazh që po kontrollonte gjithë aksin nga fushë Kruja e fushë Kuqja, dhe ngjarja e Vis Martinaj do të jetë dhe për shumë kohë edhe sikur të rezultojë i vrarë apo i skenuar mendoj se do jetë kryefjala e medias.



