Një 26-vjeçar ka rënë në prangat e policisë për shitje të lëndëve narkotike, ndërkohë në kërkim janë shpallur 2 bashkëpunëtorët e tij.
Shërbimet e Forcës e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i punës intensive operative dhe operacionale, në kuadër të operacionit ‘Baza’ u arrestua shtetasi Gerold Doçe, 26 vjeç, dhe u shpallën në kërkim shtetasit A. A., 26 vjeç dhe D. A., 24 vjeç.
3 shtetasit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kishin siguruar lloje të ndryshme lëndësh narkotike (Kokainë, Cannabis Sativa dhe MDMA), sasi të të cilave i kishin fshehur në ambientet e përbashkëta të një pallati dhe në një automjet të parkuar përballë tij, me qëllim shitjen.
Policia ka bërë të mundur sekuestrimin e 1 kg e 32 g lëndë narkotike Kokainë, 377 g lëndë narkotike Cannabis Sativa, 13 tableta MDMA dhe automjeti tip “Mazda”.
Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.



