Të paktën 73 persona janë raportuar të vdekur nga shpërthimi i një veture bombë në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu.
Shpërthimi ndodhi në një pikë kontrolli me qarkullim të madh në kryeqytetin e vendit të Afrikës Lindore.
Dr Mohamed Yusuf, drejtor i spitalit Madina, i tha agjencisë së lajmeve AP se ata kishin marrë 73 trupa. Numri i vdekjeve pritet të rritet, shkruan “BBC”.
“Shpërthimi ishte shkatërrues dhe mund të konfirmoj që më shumë se 70 persona kanë vdekur dhe shumë të tjerë janë plagosur”, tha zyrtari policor, Ibrahim Mohamed.
Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, ndonëse militantët e grupit “Al-Shabab” shpesh kanë kryer sulme në këtë qytet.
Një dëshmitar tha: “E tëra që mund të shihja ishin trupat e vdekur. Disa prej tyre ishin të djegur aq shumë, saqë nuk kishte mundësi të identifikoheshin”.
Mohamed Abdirizak, deputet somalez, tha se në këtë shpërthim kanë vdekur më shumë se 90 njerëz, ndonëse ky informacion nuk është konfirmuar.
Al-Shabab - një grup militantësh islamikë, aleatë me Al-Kaedën - ka zhvilluar kryengritje për më shumë se 10 vjet. Ajo u detyrua të lërë kryeqytetin në vitin 2011, por ende kontrollon zonat e vendit.



