Një 39-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madrid është arrestuar nga Policia e Shtetit në Malësinë e Madhe.
Sipas autoriteteve, shtetasi me inicialet G. H., alias G. H., lindur në Koplik, ishte shpallur në kërkim nga drejtësia spanjolle, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”, të kryera me qëllim trafikimin e drogës.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Fast”, të finalizuar nga specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania), në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër dhe homologët spanjollë.
Pas arrestimit të përkohshëm, ndaj 39-vjeçarit pritet të vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Spanjës.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet gjyqësore spanjolle, po vijon veprimet procedurale për transferimin e tij në vendin ku kërkohet për përballimin e përgjegjësisë penale.



