
Një operacion i policisë së Vaut të Dejës, i koduar “Pecaj” ka vënë në pranga autorin e dyshuar të një grabitje me armë.
Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Gjovalin Dodaj, 26 vjeç, banues në fshatin Mnelë e Madhe,Vau Dejës.
26-vjeçari në lagjen “Pecaj”, fshati Mnelë e Madhe, nën kërcënimin e armës së zjarrit dhe i maskuar, i ka marrë shumën prej 230 mijë lekë të vjetër shtetasit J. C. 39 vjeç, me banim në Rrilë, Lezhë, i cili po drejtonte automjetin tip “Ford”.
Pas ngjarjes shtetasi Gjovalin Dodaj, është larguar nga vendi i ngjarjes.
Gjithashtu gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pushkë, krehëra pushke, 220 fishekë luftarak dhe 1 maskë me ngjyrë të zezë, e cila dyshohet se është përdorur nga ky shtetas për të kryer vjedhjen nën kërcënimin e armës.
Lidhur me këtë ngjarje materialet iu referuan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale “Vjedhja me armë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.



