Një aksident rrugor është regjistruar këtë të premte në aksin Gjirokastër–Tepelenë, në kthesën e fshatit Hormovë, ku është përfshirë edhe aktori i njohur i humorit Sejfulla Myftari, i njohur për publikun me emrin artistik Cekja.
Sipas informacioneve paraprake, automjeti tip Mercedes-Benz, që drejtohej nga Cekja, është përplasur me një automjet tip Ford, në drejtimin e të cilit ndodhej Baba Sheh Hormova, klerik bektashian.
Burimet bëjnë me dije se përplasja nuk ka qenë frontale, duke shmangur pasoja më të rënda për personat e përfshirë në aksident. Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale në të dy automjetet, ndërsa as aktori dhe as drejtuesi i mjetit tjetër nuk kanë pësuar lëndime të rënda.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore të Gjirokastrës, të cilat po kryejnë veprimet procedurale dhe po hetojnë për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.



