
Gjatë orëve të fundit janë evidentuar katër vatra zjarri, ndër të cilat vetëm një është shuar dhe tre mbeten aktive.
Siç ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu operacionet për shuarjen e vatrave të zjarrit që kanë prekur vendin kanë vazhduar edhe sot.
Vengu thekson se, në malin mbi fshatin Dhivër, bashkia Finiq vazhdon zjarri në një sipërfaqe pyjore në lartësi, ku janë angazhuar 8 mjete zjarrfikëse dhe rreth 82 forca operacionale, të cilave mëngjesin e sotëm u janë bashkuar edhe 3 mjete zjarrfikëse dhe 13 efektive nga BMEC si dhe mbështetje nga ajri.
Gjithashtu, shton ministri, në zonën F të ish Uzinës Mekanike Poliçan, ku në terren janë angazhuar shërbimet zjarrfikëse të MZSH të bashkisë Poliçan, Berat dhe Skrapar, të ndihmuar nga 2 automjete zjarrfikëse të forcave ushtarake të FA-së.
Zjarri aktualisht është tërësisht i neutralizuar.
Po ashtu, vijon Vengu, në fshatin Lofkënd, bashkia Mallakastër, ku në terren janë angazhuar 4 mjete zjarrfikëse dhe 30 forca operacionale, pa mundur ta izolojnë. Në ndihmë të forcave operacionale u nisën edhe 2 automjete zjarrfikëse të FA.
Vengu nënvizon se, AKMC përsërit thirrjen ndaj banorëve: të tregohen të kujdesshëm, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë në kohë vatrat.



