Policia ka arrestuar shtetasin B. B., 42 vjeç, banues në Fier, i cili dyshohet se tregtonte ilaçe të skaduara dhe të futur kontrabandë, pa faturë tatimore.
Gjatë kontrollit të banesës së tij u sekuestruan 4 289 kuti ilaçesh, përfshirë 1 635 kuti të skaduara dhe 2 654 kuti pa faturë tatimore, që dyshohet se janë futur kontrabandë.
Hetimi disamujor i kryer me metoda speciale zbuloi se ai furnizonte farmacitë e qytetit me këto medikamente të rrezikshme për shëndetin.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprat penale: prodhimi dhe tregtimi i barnave të falsifikuara ose të rrezikshme, fshehja e të ardhurave, dhe tregtimi i mallrave kontrabandë.



