
Një person është vënë nën hetim pasi iu gjetën dhe sekuestruan 44 mijë paund dhe 3 mijë euro, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.
Në vendin e quajtur “Poçem”, u ndalua nga shërbimet e policisë Fier, automjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin R. B.
Gjatë kontrollit në këtë automjet, u gjetën 44 mijë paund dhe 3 mijë euro, për të cilat ky shtetas nuk kishte dokumentacion që vërteton burimin e ligjshëm të tyre dhe për të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktivitete kriminale.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Fier referuan materialet dhe nisi procedimi penal për shtetasin R. B., 40 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shumat e parave, dy aparate celulare dhe automjeti me të cilin udhëtonte ky shtetas.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të burimit të të ardhurave të shtetasit R. B., si dhe nëse ky shtetas është i implikuar në veprimtari kriminale.



