Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në Lushnje.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 04:30 në rrethrrotullimin e Plasmasit, ku ka humbur jetën shtetasi Ernis Xhumari, 43 vjeç, banues në Karbunarën e Vogël.
Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin e mjetit, duke u përplasur me ishullin e trafikut në rrethrrotullim. Si pasojë e goditjes së fortë, automjeti është përmbysur dhe ka pësuar dëme të shumta.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se 43-vjeçari ka ndërruar jetë në vend.
Nga të dhënat e para dyshohet se shpejtësia e lartë mund të ketë qenë një nga shkaqet e aksidentit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.



