
Erërat e forta në pjesën qendrore të rajonit New South Wales në Australi, kanë krijuar stuhi pluhuri që në disa qytete e ktheu ditën në natë.
Byroja e Meteorologjisë e lëshoi një varg paralajmërimesh të dielën në mbrëmje për këtë rajon. Stuhitë e pluhurit erdhën pas erërave të fuqishme dhe reshjeve të mëdha të shiut në disa pjesë të vendit, shkruan “The Guardian”.
Në videot e publikuara në rrjetet sociale nga disa dëshmitarë shihen masat e mëdha të pluhurit duke u përhapur në qytezën Dubbo dhe disa vende të tjera. Pluhuri ishte aq i dendur, saqë e bllokoi edhe depërtimin e rrezeve të diellit.
Në orën 7 e 45 minuta të mbrëmjes sipas kohës lokale, në Dubbo u regjistruan erëra me shpejtësi prej 107 kilometrave në orë.
Përpos erërave të fuqishme, Australia u përball me reshje të mëdha të shiut dhe vërshime. Në rajonin Victoria, shërbimet emergjente i pranuan 1500 thirrje telefonike për ndihmë.
Reshjet e shiut kanë ndikuar pozitivisht në parandalimin e përhapjes së zjarreve dhe janë mirëpritur nga zjarrfikësit dhe fermerët.
Meteorologët australianë kanë parashikuar se stuhia do të vazhdojë edhe të hënën dhe do të përcillet me erëra të fuqishme.



