Gjykata e Durrësit ka lënë në burg Teilor Tivarin, i cili është autori i dyshuar i vrasjes së 51-vjeçarit Valbon (Marko) Beqiri, tri ditë më parë në lagjen numër 12 të qytetit.
Të njëjtën masë “burg pa afat” dha edhe për bashkëpunëtorin e tij Xhenis Dakoli, i cili e ndihmoi të largohet nga vendngjarja.
I penduar është shfaqur gjatë seancës që i zhvillua paraditen e kësaj të shtune, 24-vjeçari, i cili doli përpara gjykatës për masën e sigurisë.
Një seancë me dyer të mbyllura, ku është kërkuar masa e arrestit me burg, për dy të pandehurit dhe ku trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Ervin Sulaj ka pranuar kërkesën e prokurorisë, duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin e tyre.
Mësohet se Tivari ka pranuar se gjatë një konflikti me Beqirin i ka marrë jetën këtij të fundit.
Sipas hetimeve të policisë, ngjarja ndodhi paraditen e së enjtes, rreth orës 10:00, në banesën e viktimës.
Tivari ishte paraqitur aty për të marrë lëndë narkotike, por situata degjeneroi në debat e më pas në përleshje fizike. Gjatë konfliktit, i dyshuari e goditi disa herë me thikë 51-vjeçarin, i cili ndërroi jetë.



