Ministria e Mbrojtjes del me deklaratë lidhur me zhdukjen e të riut nën dhe në bashkinë e Klosit, teksa punonte me ekskavator në fabrikën e kromit dhe thotë se rrëshqitja e dheut vështirëson punën.
Rrëshqitja e ndodhur përfshin një masë të konsiderueshme dheu, me përmasa të vlerësuara rreth 500 metra gjatësi, 20 metra gjerësi dhe mbi 4 metra thellësi.
Terreni në zonën e prekur mbetet i paqëndrueshëm, çka ka sjellë vështirësi të mëdha në ndërhyrjen me mjete të tjera të rënda, për shkak të rrezikut të rrëshqitjeve të mëtejshme.
Për këtë arsye, ndërhyrjet po kryhen me kujdes ekstrem, për të shmangur çdo rrezik shtesë për forcat e angazhuara në operacion.
Megjithatë, aktualisht në një pjesë të luginës është bërë e mundur ndërhyrja me ekskavatorë dhe mjete të tjera ndihmëse.
Pavarësisht përpjekjeve të pandërprera, deri në këto momente nuk është bërë e mundur lokalizimi apo nxjerrja e trupit të punonjësit të ekskavatorit.
Operacioni i kërkimit nën vijon me përkushtim maksimal, duke respektuar të gjitha protokollet e sigurisë dhe në bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve përkatëse.
29-vjeçari Ardit Beshiri rezulton i zhdukur nën dhe që prej orës 14:30 të 3 majit, ku në vendin e quajtur “Qafa e Burrelit”, në ambientet e fabrikës së përpunimit të kromit që ndodhet në territorin e bashkisë Klos, ndodhi një rrëshqitje masive dheu.
Nga rrëshqitja u përfshi një mjet tip ekskavator dhe dheu mbuloi punonjësin e kompanisë, Ardit Beshiri që operon në shfrytëzimin e mineraleve në këtë zonë.
Menjëherë pas ngjarjes, janë angazhuar forca të shumta në përpjekje për të gjetur dhe nxjerrë trupin e punonjësit të zhdukur.
Në operacionin e kërkimit janë përfshirë Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi i bashkisë Klos, Forcat e Policisë, Punonjës të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM), Ekip mjekësor me autoambulancë, Forca vullnetare nga komuniteti, Efektivë të Forcave të Armatosura me pajisje për detektimin e metaleve, Punonjës të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.



