
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) njoftoi se, në vijim të operacionit të koduar **"Basti i Fundit"**, janë arrestuar në flagrancë një punonjës policie dhe dy shtetas, si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera.
Në pranga është vënë Lutfi Dervishi, me detyrë ndihmësspecialist i Policimit në Komunitet, me zonë mbulimi qytetin e Fushë-Krujës.
Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin".
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, hetuesit gjetën dhe sekuestruan 119 fishekë të kalibrit 9 mm.
Po ashtu, AMP arrestoi edhe shtetasit Sabah Stafuka dhe Fatmir Stafuka, të dy banues në Arrameras, Fushë-Krujë.
Sipas AMP-së, ata akuzohen për veprat penale "Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
Gjatë kontrolleve në ambientet objekt hetimi, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
4 pajisje elektronike (makineta) të dyshuara se përdoreshin për lojëra fati;
2 serverë/njësi kompjuterike, të dyshuara se shërbenin për aktivitetin e paligjshëm;
1 pajisje DVR;
5 qese plastike me lëndë të dyshuar narkotike, me peshë totale 2.22 gramë;
6 qese të vogla plastike me lëndë të dyshuar narkotike, me peshë totale 4.41 gramë;
3 telefona celularë.
AMP bëri të ditur se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme, identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë, si dhe evidentimin e çdo rasti të favorizimit, mbështetjes apo mosveprimit nga punonjës të strukturave ligjzbatuese.



