
Porti i Durrësit konsiderohet objekt i sigurisë së veçantë, hyrje daljet në të monitorohen përgjatë 24 orëve e jo vetëm nga kamerat, policia, dogana dhe policia kufitare.
Por gardhin metalik, kamerat, Policinë dhe traun e Doganës më datë 8 dhjetor 2023 disa persona të proceduar për kontrabandë do ta ngrinin jo vetëm traun por do të fusnin brenda portit një kamion, marrin kontejnerin për ta rikthyer sërish në port pas afro 4 orë.
Ky veprim çoi në pranga pesë persona, ndërsa dyshimet janë se gjithçka lidhet me trafikun e lëndës narkotike kokainë e cila nga Amerika Latine vjen nëpërmjet frutave ekzotike në Shqipëri.
Lidhur me këtë fakt, juristi Arbër Hoxha, në emisionin “FactCheck”, thotë se teksa ende nuk dihet qëllimi i vërtetë i kësaj ngjarje, ajo që lë shumë për të dëshiruar është siguria kombëtare, e cila vazhdon të jetë shumë e dobët.
Patjetër që këtu ka një mospërputhje të gjendjes fizike dhe gjendjes faktike me dokumentacionin shoqërues.
Patjetër që personat që kanë kryer të gjithë këtë veprim të kundërligjshëm, kanë pasur një qëllim ekonomik nga prapa. Por nuk e besoj se e gjithë kjo maratone veprimesh, fute kamionin, nxirre kamionin, dhe gjithçka tjetër ka pasur për synimin vjedhjen e dy kutive bananeve, por megjithatë kjo ngelet për tu parë nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës, se cili ka qenë qëllimi i vërtetë.
Por kjo, duhet të sjellë vëmendjen e autoriteteve ligj zbatuese shqiptare që siguria kombëtare është shumë e dobët. Para disa ditësh ndodhi një vrasje në IBV Peqin, sot vidhet një kamion, futet e e nxirret pa pikën e problemit, sigurisht që organet ligj zbatuese duhet të nxjerrin mësimet përkatëse nga kjo pjesë.



