
Gjyqtari i Tiranës, Arjan Aliaj ka dhënë dorëheqjen nga detyra, kjo pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendosi që të ndërpresë vetingun ndaj Aliajt si dhe të ndalojë riemërimin e tij në sistemin e drejtësisë në pozicione që kërkojnë statusin e magjistratit për një periudhë 15-vjeçare.
Në vendimin e arsyetuar të Komisionit thuhet se gjyqtari Aliaj e ka dhënë dorëheqjen pasi kishin kaluar me shumë se dy vjet nga fillimi i procesit të rivlerësimit kalimtar ndaj tij. Sipas KPK, Aliaj ishte njoftuar me 27 shkurt 2020 për fillimin e procesit të vetingut.
Në maj të 2022-it, gjyqtari Aliaj ka paraqitur pranë Komisionit kërkesë për pezullim të hetimit administrativ, deri në shqyrtimin e kërkesës për heqje dorë nga detyra që e kishte paraqitur në Këshillin e Lartë Gjyqësor, KLGJ.
Në përfundim, trupa e KPK e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Pamela Qirko dhe anëtar Roland Ilian ka vendosur të deklarojë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për gjyqtarin e Tiranës Arjan Aliaj. Po ashtu, është vendosur ndalimi i emërimit të tij si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.
Arjan Aliaj është një emër i njohur në sistemin e drejtësisë. Aliaj u kthye në mollë sherri mes gjyqësorit dhe qeverisë në vitin 2016, për shkak se firmosi pezullimin nga detyra të ish Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, për çështjen e pajisjes së paautorizuar të përgjimit.
Gjyqtari Arjan Aliaj është shkarkuar nga detyra në 20 dhjetor të vitit 2000, për shkelje të rënda në detyrë. Por, vendimi i shkarkimit u shfuqizua si antikushtetues më 2 prill 2003 nga Gjykata Kushtetuese. KLD-ja e kryesuar nga ish-presidenti Bamir Topi, më datë 2 dhjetor të vitit 2009, e ktheu në detyrë gjyqtarin Aliaj.
Në korrik të vitit 2016, Sektori Kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit nisi një hetim për gjyqtarin Arjan Aliaj, për veprat penale të “Fshehjes së të ardhurave”, “Mosdeklarim të pasurisë”, “Evazion fiskal, “Pastrim parash” dhe “Korrupsion”.
Pasi u shkarkua nga KLD-ja në vitin 2000, Arjan Aliaj nisi të punojë si avokat, kurse u rikthye në detyrë në vitin 2009.



