
Shtyhet procesi gjyqësor për ekstradimin e shtetases ruse, Svetlana Timofoeva, e arrestuar në Shqipëri për sulmin në repartin ushtarak në Çekin të Gramshit në gusht të vitit 2022, raporton korrespondenti i MCN Tv në Elbasan.
Shteti rus, nëpërmjet organeve të drejtësisë ka kërkuar më herët ekstradimin e saj pasi një gjykatë në Rusi e ka dënuar atë për “marrje në mënyrë të paligjshme të informacioneve sekrete shtetërore".
Ndërkohë në Shqipëri ajo është nën hetim për ngjarjen në uzinën e Gramshit.
Shkak për shtyrjen e procesit të sotëm u bë mungesa e avokatit të çështjes. Rusja është parë e qetë brenda kafazit të qelqtë ndërsa në seancën e sotme janë dëgjuar vetëm gjeneralitetet. Kujtojmë se kjo çështje gjykohet nga gjykatësi Elis Dine dhe prokurori Mustafa Turku.
E ndërsa seanca e radhës është njoftuar se do të mbahet me datë 3 mars kjo është seanca e dytë që shtyhet.
Burimet bëjnë me dije se sapo është njohur me kërkesën për ekstradim Timofueva e ka kundërshtuar atë dukë parashtruar si arsye se në Rusi i druhet një gjykimi jo të drejtë dhe se po përdoret politikisht.
Sakaq për dy shtetasit e tjerë që shoqëronin blogeren nuk ka pasur asnjë kërkesë ekstradimi nga autoritetet përkatëse.



