Shkelja e orarit të lëvizjes në kohë karantine nga disa qytetarë, për Policinë e shtetit është papërgjegjshmëri. Në kuadër të masave për parandalimin e lëvizjes së qytetarëve nevjë e pa nevojq, policia njofton se jatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë ndëshkuar 41 shoferë, me heqje të patentës dhe bllokim mjeti, pasi kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit.
Policia e Shtetit njofton se gjatë 24 orëve të fundit, janë gjobitur 270 shtetas, 5 njësi tregtie dhe 41 drejtues mjetesh, pasi nuk zbatuan masat kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Policia e Shtetit njofton gjithashtu se, u ndëshkuan me masë administrative 700.000 lekë, shtetasja D. K., 32 vjeçe dhe I. M., 26 vjeç, të cilët ishin kthyer nga një qytet i Maqedonisë së Veriut dhe duhet të ishin vetëkarantinuar, por janë konstatuar jashtë ambienteve të banesës.
“Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 41 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″”,- njofton Policia.
“Ndërkohë, në Tiranë është arrestuar në flagrancë shtetasi A. B., 45 vjeç, banues në Tiranë, i cili është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 1.11 mg/l. Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Policisë dhe denoncimeve të ardhura nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, në 112/129 dhe Komisariatin Dixhital, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 270 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë”,- sqaron Policia.
“Në Tiranë është arrestuar në flagrancë shtetasi K. J., 18 vjeç, banues në Tiranë, sepse gjatë pasdites së djeshme duke lëvizur pa leje ka kundërshtuar dhe goditur me grusht punonjësit e Policisë, si dhe u proceduan penalisht shtetasit L. GJ., 20 vjeç dhe E. J., 25 vjeç, banues në Tiranë, sepse janë konstatuar duke lëvizur gjatë orarit të ndaluar të lëvizjes dhe kanë kundërshtuar urdhrin e punonjësve të Policisë”,- thekson Policia.



