
Një person është vënë në prangat e policisë së Tiranës dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim, pas aksidentimit të dy makinave luksoze në rrethrrotullimin e TEG-ut.
Në vijim të njoftimit paraprak të dhënë ditën e djeshme, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin Fatjon Dauti, 29 vjeç, banues në Krumë, për veprat penale “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 278 dhe 283 të Kodit Penal.
Gjithashtu po punohet për kapjen e shtetasve Adem Noreci, 29 vjeç, banues në Tiranë, Marjo Bajramaj, 25 vjeç, banues në Tiranë, dhe Isuf Lika, 24 vjeç, banues në Domje.
Ditën e djeshme, në afërsi të rrethrrotullimit të TEG-ut, shtetasi Fatjon Dauti, me shtetasin Adem Noreci, janë konfliktuar me sende të forta me shtetasit Marjo Bajramaj, dhe Isuf Lika.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është gjetur një armë zjarri pistoletë, e cila nga këqyrja e pamjeve filmike i përket shtetasve Fatjon Dauti dhe Adem Noreci.
Gjithashtu gjatë kontrollit fizik shtetasit Fatjon Dauti, shërbimet e policisë, i gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me armën e zjarrit.



