
Koncesioni i sterilizimit, kontrata më e shtrenjtë e partneritetit publik-privat e qeverisë ‘Rama' në sektorin e shëndetësisë, u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 76 milionë euro deri në fund të vitit 2022. Kontrata koncesionare e miratuar në vitin 2015 ia dha shërbimin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore kompanisë së Ilir Rrapajt dhe ortakut të tij italian, Umbro Staccini.
Koncesioni me vlerë 100 milionë euro u hetua për 3 vjet me radhë nga SPAK, i cili pak ditë më parë lëshoi urdhrat e arrestit për ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj dhe masa më të buta sigurie për gjashtë anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit.
Organi i akuzës gjeti shkelje në procedurat e dhënies së koncesionit, mesa duket të përshtatura në mënyrë të tillë që fituesi të ishte një i vetëm, Ilir Rrapaj, i cili rezulton të ketë qenë shok klase me Klodian Rrjepaj, kryetar i komisionit dhe zv.ministër i Shëndetësisë në atë kohë.
Lista e shkeljeve është e gjatë dhe e tillë që të bën të mendosh se nuk mund të kenë kaluar pa u vënë re edhe nga eprorët e Rrjepajt.
SPAK veçon një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimin e kritereve në mënyrë të tillë që t'i përshtateshin kompanive të Rrapajt dhe Staccinit dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes Rrjepajt si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Rrapajt si përfitues i tij.
Koncesionit të firmosur në vitin 2015 iu rrit vlera e financimit me 65 % në harkun e dy viteve, kohë gjatë të cilës kompania raportoi bilance negative.
Një rishikim i dokumenteve që lidhen direkt me këtë koncesion tregon se kostoja e lartë e sterilizimit i detyroi spitalet të reduktojë ndërhyrjet kirurgjikale, çka rëndoi direkt mbi shëndetin e pacientëve.
Në vitin 2019, pra katër vjet pasi ishte dhënë koncesioni, ngrihet një komision për të rishikuar paketat. Në bazë të ligjit, nevojën për pajisje duhej ta kishte nxjerrë në pah studimi i fizibilitetit, i cili është plani mbi të cilin ngrihet çdo projekt i ri. Komisionit prej 9 mjekësh të QSUT i jepet një muaj kohë për të “rivlerësuar faktorët përcaktues që kanë të bëjnë me tipologjinë e instrumenteve, numrin e instrumenteve që përbëjnë setin kirurgjikal dhe numrin e seteve kirurgjikale të nevojshme për një ndërhyrje”. Komisionit iu kërkua rishikimi i seteve kirurgjikale me synimin për të ulur numrin e mjeteve në çdo set, rrjedhimisht edhe uljen e kostove. I njëjti komision duhej edhe të vlerësonte se cilat ndërhyrje duheshin kryer brenda sallave operatore dhe cilat jashtë saj. Pra, komisionit në fjalë iu caktua detyra të bënte atë që duhej ta kishte bërë studimi i fizibilitetit para dhënies së koncesionit. Ky i fundit rezulton të jetë dhënë pa pasur një ide të qartë mbi nevojën reale që kishin spitalet për instrumente.
Në tre vitet e para të tij, përmes koncesionit të sterilizimit, Ministria e Shëndetësisë i ka paguar koncesionarit 17 milionë euro, nga 10 milionë që duhej të ishte fatura. Për këtë arsye, Ministria urdhëroi spitalet të reduktonin operacionet. Urdhri i Brendshëm që mban firmën e drejtorit të Përgjithshëm të QSUT-së në atë kohë, Enkelejd Joti, parashikon planifikimin e operacioneve dhe hartimin e listave të pritjes, të cilat duhej të dorëzoheshin në drejtori çdo javë nga shërbimet kirurgjikale. Joti urdhëron edhe kthimin mbrapsht të pacientëve që vinin nga rrethet për ndërhyrje kirurgjikale pa pasur rekomandimin e kirurgut të spitalit nga vinin. Setet e pamjaftueshme të pajisjeve kirurgjikale, për të cilat mjekët flisnin vetëm nën zë, bëhen shkak për ekonomizimin e ndërhyrjeve, pavarësisht se pacientët kishin nevojë.
Masa e re reflektohet në shifrat e ndërhyrjeve të vitit 2019, të cilat në krahasim me 2018 tkurren. Në vitin 2018 janë kryer në total 31 138 ndërhyrje, ndërsa në vitin 2019, shifra zbret në 22 545 ndërhyrje të planifikuara.
Njësoj si kontrata e inceneratorëve, e cila u nënshkrua pas emergjencës mjedisore të krijuar në Fier, edhe koncesionit të sterilizimit i parapriu një alarm për infeksionet spitalore. Studimi fiktiv i fizibilitetit është një tjetër element që lë vend për dyshimin se e gjitha ishte një skemë e mirëfilltë përfitimi. Në të dyja rastet, kostot i paguan qytetari: nga xhepi ose me shëndetin e tij.



