
Detaje të reja kanë dalë lidhur me vrasjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme të shtetasit Anton Keli. Sipas informacioneve nga uniformat blu, mësohet se në polici janë shoqëruar disa persona, të cilët po pyeten rreth asaj çfarë ndodhi mbrëmjen e djeshme. Ende nuk ka asnjë të dyshuar të ndaluar.
Ndërkohë, viktima dyshohet se është qëlluar me armë zjarri automatik skorpions, ku tre plumba e kanë prekur në trup në organet jetësore. Pasi është qëlluar, viktima ka mundur të lëvisë për disa metra dhe ka shkuar për të kërkuar ndihmë tek një market që ndodhet pranë vendit të ngjarjes. Momentin kur është future në market, nga trupi i tij ka dalë në nga plumbat e qëlluar, ndërsa është gjetur më pas nga efektivët e policisë.
Aty, 51-vjeçari ka rënë pa ndjenja dhe shitësja e marketit ka njoftuar policinë, njëkohësisht edhe ambulancën. Anton Keli ka ndërruar jetë teksa transportohej në spital.
Sipas burimeve, Anton Keli nuk rezulton të jetë person me precedent penal dhe duke qenë se ka lidhje me familjen Gjini, hetimet janë përqendruar tek ngjarjet e mëparshme, por edhe tek ndonjë konflikt personal që mund të ketë patur. Në zonë janë sekuestruar disa kamera sigurie të cilat po analizohen nga grupi hetimor. Në vendin ku ka ndodhur ngjarja janë gjetur dhe sekuestruar 6 gëzhoja arme.



