
Detaje të reja janë bërë të ditura nga Policia, në lidhje me zjarrin që përfshiu parkimin e një pallati në Unazën e Re të kryeqytetit. Mësohet se kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme, ku një person që dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, i ka vënë flakën makinës së tij. Tiranë/Informacion shtesë Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, për zjarrin e rënë në parkingun e një pallati në Unazë të Re, ju sqarojmë se: Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se autor i dyshuar i kësaj ngjarje është shtetasi E. L., 36 vjeç, me probleme të shëndetit mendor, i cili dyshohet se gjatë një konflikti me shtetasin S. L. (babai), i ka vënë zjarrin automjetit të tij. 36-vjeçari është shoqëruar në spital për ndihmë mjekësore pasi ka pësuar dëmtime të lehta si pasojë e zjarrit. Në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 është shoqëruar shtetasi S. L., i cili ishte prezent bashkë me 36-vjeçarin, gjatë ngjarjes.



