Një vatër zjarri është regjistruar në orët e para të mëngjesit në repartin e përpunimit të baterive, duke shkaktuar alarm në zonën industriale të qytetit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit, kur flakët janë përhapur me shpejtësi brenda ambienteve të repartit, të ndihmuara edhe nga materialet e ndodhura në brendësi të objektit.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Falë reagimit të shpejtë, është bërë e mundur shmangia e përhapjes së zjarrit drejt reparteve dhe bizneseve përreth.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkaku i zjarrit mund të ketë qenë një rrjedhje gazi nga një depozitë brenda repartit, por hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi rrethanat e incidentit.
Në operacion janë angazhuar 4 mjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë. Fatmirësisht nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa policia dhe grupi hetimor po vijojnë verifikimet në terren.



