
Një sherr masiv me sende të forta mes disa personave është shënuar gjatë orëve të para të mëngjesit në Sarandë.
Policia njofton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:35, në fshatin Gjashtë, Sarandë, ku dyshohet se janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta, duke përdorur sende të forta, disa shtetas, ndërmjet tyre dhe punonjës policie jashtë shërbimit.

Si pasojë e konfliktit, kanë mbetur të dëmtuar shtetasit E. N. dhe A. N., të cilët, pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë për veprime të mëtejshme.
Në Komisariatin e Policisë janë shoqëruar gjithashtu disa prej shtetasve të përfshirë në konflikt, përfshirë punonjësit e Policisë jashtë shërbimit.
Vijon puna për identifikimin dhe shoqërimin e të gjithë shtetasve të tjerë të përfshirë.
Grupi hetimor dhe AMP, nën drejtimin e Prokurorisë Sarandë, po punojnë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.



