Një sasi eksplozivi është konsatuar këtë të martë në makinën e drejtoreshës së Drejtorisë Rajonale të Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor Shkodër (OSHKSH), Suida Kuka. Sipas informacioneve, makina e saj ishte parkuar pranë vendit ku ajo punon, në lagjen Vojo Kushi të Shkodrës.
Pas njoftimit për rastin, në vendngjarjen ka shkuar njësia antieksploziv e RENEA-s, e cila bëri shpërthim të kontrolluar të pakos, brenda së cilës rezultoi se kishte lëndë eksplozive. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se lënda plasëse është vendosur nga një person me motor.
Për identifikimin e tij janë sekuestruar pamjet nga kamerat e sigurisë tek bizneset pranë vendit ku ndodhi ngjarja. Nuk dihen motivet e kësaj ngjarje, ndërsa policia ka shoqëruar Suida Kukën e cila do të japë deklarimet e saja.

(Ne foto: Suida Kuka)
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të informacionit paraprak për një pako të dyshimtë që u konstatua në lagjen “Vojo Kushi”, Shkodër, në afërsi të një mjeti “Range Rover”, në pronësi të shtetases S. K., banuese në fshatin Demiraj, Malësi e Madhe, me detyrë Drejtoreshë e Drejtorisë së Shëndetit Publik Shkodër, ju informojmë se:
Në vendin ku u konstatua pakoja e mbyllur erdhi njësia antieksploziv e RENEA-s, e cila bëri shpërthim të kontrolluar të pakos, brenda së cilës rezultoi se kishte lëndë eksplozive.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.



