Tre persona të arrestuar dhe katër të proceduar penalisht është bilanci i një operacioni policor i koduar “Tërnova”, zhvilluar në Dibër, Bulqizë dhe Mat.
Përmes një njoftimi për mediat, policia bën me dije se janë sekuestruar armë zjarri, municion luftarak dhe lëndë narkotike.
Mësohet se është arrestuar në flagrancë shtetasi me inicialet R.I., 42 vjeç, banues në Tërnovë, Bulqizë, i cili sipas policisë, u kap në fshatin Tërnovë me automjetin “Land Rover”, duke qarkulluar me pistoletë dhe 11 fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në njoftimin e policisë tregohet se në vijim të operacionit u arrestua në flagrancë edhe shtetasi me inicialet M.T., 35-vjeç, banues në Tiranë, i cili qarkullonte në mjet me shtetasin R.I., pasi u kapën me një sasi të vogël lëndë narkotike.
Sipas policisë, ky shtetas, dyshohet se merrej me veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes në doza të vogla të lëndëve narkotike.
Më tej, në njoftimin e uniformave blu, bëhet me dije se në Mat është arrestuar shtetasi me inicialet A.P., 31-vjeç, pasi gjatë kontrollit të territorit nga shërbimet e policisë është konstatuar se shtetasi A.P., kishte kultivuar bimë narkotike në oborrin e banesës së tij.
Po në vijim të plan-operacionit, janë evidentuar dhe goditur 4 raste të krimeve mjedisore dhe janë proceduar penalisht shtetasit:
V. B., E. J., pasi janë konstatuar duke bërë ndërtime pa lejen e organeve kompetente.
I. D., A. Z., pasi janë konstatuar duke transportuar lëndë drusore pa dokumentacion përkatës.
Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër dhe Mat, për veprime të mëtejshme.



