Shiu i pandërprerë prej dy ditësh, shoqëruar me stuhi e rrebeshe, po sjell dëme të mëdha në Tropojë.
Kryetar i Bashkisë Tropojë, Rexh Byberi ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga gjendja e vështirë që ka krijuar situata e motit të keq prej dy ditësh.
Sipas tij, jo vetëm rrugët, kanalizimet, janë te tejmbushura por nga gërryerjet dhe shembjet e mëdha janë në rrezik banesat e qytetareve.
Gjendja më alarmante është në fshatin Vlad por pothuajse në të gjithë territorin e bashkisë përshkallëzimi po shkon drejt një katastrofe natyrore.
Komisioni i Mbrojtjes Civile në Prefekturën e Kukësit ka njoftuar sot se si pasojë e reshjeve të dendura gjatë natës, kanë ndodhur përmbytje të jashtëzakonshme në bashkinë e Tropojës dhe konkretisht në dy fshatra, Fushë Lumi dhe në Vlad. Personeli i bashkisë së Tropojës po monitoron situatën sidomos në fshatin Vlad, për të parandaluar ndonjë fatkeqësi.
Nga informacioni i marrë nga bashkitë si rezultat i kushteve të motit rezulton se: I gjithë territori i qarkut Kukës është përfshirë nga reshje shiu, edhe më intensive këto në territorin e bashkisë Tropojë. Në bashkinë Kukës e Has deri në këto momente nuk kemi raportime për ndonjë problematikë emergjente. Nga informacioni i marrë nga Përgjegjësi i Emergjencave Civile në bashkinë Tropojë, si rezultat i reshjeve të shiut, gjendja në fshatin Fushë Lumi të Njësisë Administrative Margegaj dhe në fshatin Vlad të Njësisë Administrative Bytyqë ka përmbytje te jashtëzakonshme.
Në fshatin Vlad, situata është më e përkeqësuar; aty që në orët e para të mëngjesit ndodhen stafi i bashkisë Tropojë, ku po monitorojnë situatën për të parandaluar ndonjë fatkeqësi.
Në fshatin Fushë-Lumi, 7 familje janë të bllokuara nga sasia e madhe e reshjeve dhe uji i grumbulluar. Nga bashkia Tropojë janë angazhuar të gjitha strukturat përgjegjëse.



