Policia e Elbasanit ka ndërtuar dinamikën e ekzekutimit të 39 vjeçarit Emiljano Ramazani, pasditen e djeshme në qytet.
Sipas hetuesve ka qenë një person i vetëm, i cili qëlloi ndaj viktimës. Autori ishte i veshur me bluzë të zezë, tuta blu me vija të bardha, kapele të zezë dhe maskë anti-Covid.
Atentatori u afrua me qetësi te dera e makinës së Emiljano Ramazanit dhe e qëlloi me pesë plumba, tre herë në qafë dhe dy herë në të dyja shpatullat.
Viktima sapo ishte kthyer nga palestra në pronësi të tij, dhe ishte nisur drejt banesës.
Një nga pistat e hetimit është ajo e prishjes së pazareve të drogës, por ka dyshime të forta që viktima mund të ketë pasur dijeni për disa nga ngjarjet e rënda, që kanë tronditur Elbasanin kohët e fundit.
Elbasani nuk po gjen qetësi nga krimi. Viktima njihej ndryshe me nofkën “Rramani”. Ai është babai i 4 vajzave.
Viktima u qëllua ndërsa po parkonte makinën e tij tip “Ford Focus” me targa AA 945 DG mes pallateve pranë vendit të quajtur “Rrethrrotullimi i luleve” në hyrje të qytetit.



