
Dy vëllezër janë vënë në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga policia e Kukësit, si autorë të dyshuar të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme në fshatin Shtiqen, ku mbeti i plagosur me armë zjarri kushëriri i tyre. Në pranga përfunduan vëllezërit V. M., 48 vjeç dhe Xh. M., 51 vjeç, banues në Shtiqen. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se në fshatin Shtiqen, këta shtetas, në bashkëpunim me vëllanë tjetër, shtetasin A. M., i shpallur në kërkim, janë konfliktuar për motive pronësie, me kushërinjtë e tyre, shtetasit S. M., B. M. dhe nipin e tyre, shtetasin G. M. Gjatë konfliktit, tre vëllezërit kanë shkatërruar me mjete të forta zetorin e shtetasit S. M. Shtetasi Xh. M., ka plagosur me armë zjarri në këmbë, shtetasin G. M., si dhe ka kanosur shtetasin S. M. Shtetasi i shpallur në kërkim A. M., dyshohet se ka qëlluar me çifte dhe ka goditur me shkop bejzbolli, shtetasin B. M. Shtetasit e dëmtuar janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Aktualisht vijon puna për kapjen e shtetasit A. M. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me paramendim” mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”.



