Reshjet e dy ditëve të fundit kanë rikthyer edhe njëherë ankthin e përmbtyjeve të muajit dhjetor. Në jug të vendit, në disa zona të Vlorës dhe Fierit prurjet nga shiu të lumit Vjosa kanë hyrë nëpër banesa, duke vënë në gatishmëri emergjencat civile për evakuimin e banorëve. Në total janë 24 familje të evakuuara në Novoselë dhe Ferras ndërsa 4 fshatrat e Vlorës, Gjorm, Matogjin, Velçë dhe Balshaj janë të bllokuar. Shtabi i emergjencave në këto zonë ka angazhuar 150 efektivë.
Sipas Qendrës së Bashkuar Operacionale, pritet që prurjet të jenë maksimale nga lumi Vjosë, në Novoselë. Lumi Shkumbin ka dalë ndërkohë pranë urës së Rrogozhinës dhe Çermës. Ndërsa në Gjirokastër rrëshqitjet e dheut kanë bërë të pabanueshëm qendrimin në një pallat 8-katësh në lagjen “Kodra e Shtufit”. Edhe Ura e Hoshtevës në këtë qark, monument kulture i kategorisë së parë, është rrëmbyer nga ujrat e lumit të Zagorisë. Reshjet kanë qenë të dendura edhe në veri, ku prurjet e lumit Mat rrezikojnë të shembin një godinë 3-katëshe në Klos.
Moti i keq ka shkaktuar edhe defekte në rrjetin elektrik të Elbasanit, Gjirokastrës dhe Vlorës, kryesisht në zonat rurale, ndërsa OSHEE ka nxjerrë në gatishmëri 2200 punonjës dhe ka stakuar gjysmën e linjave që nuk punojnë, si masë sigurie për të evituar rreziqet në rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike. Ndërsa Meteoalb parashikon se pas mesditës vranësirat do të largohen duke bërë që në pjesën më të madhe të vendit të jetë moti i kthjellët.



